Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore organizoi me sukses një punëtori dyditore, e cila
trajtoi tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin akademik, shkencor dhe institucional të njësisë.
Temat kryesore të punëtorisë ishin:
Aplikimi i Inteligjencës Artificiale në shkencat e natyrës
Shqyrtimi i Planit Strategjik të FSHMN-së
Shqyrtimi i Programeve për Akreditim/Riakreditim – FSHMN (Sfidat)
Gjatë punëtorisë u prezantuan punime dhe analiza të thelluara nga stafi akademik mbi
potencialin e aplikimit të Inteligjencës Artificiale në fushat e shkencave të natyrës, duke theksuar
rolin e teknologjive të avancuara në inovacionin shkencor dhe arsimor.
Në të njëjtën kohë, u zhvillua një diskutim gjithëpërfshirës rreth Planit Strategjik të fakultetit, me
fokus në përmirësimin e objektivave zhvillimore, konsolidimin e kapaciteteve ekzistuese dhe
orientimin drejt qëndrueshmërisë institucionale.
Tema e tretë u përqendrua në shqyrtimin e programeve të studimit në kuadër të procesit të
akreditimit dhe riakreditimit, ku u identifikuan sfidat kryesore dhe u ofruan propozime konkrete
për adresimin e tyre, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të cilësisë në
arsimin e lartë.
Dekani i njësisë akademike Kajtaz Bllaca, shprehi mirënjohjen e tij të thellë ndaj të gjithë
stafit akademik për angazhimin profesional, pjesëmarrjen aktive dhe kontributin e vlefshëm në
diskutime. Idetë dhe sugjerimet e dhëna përbëjnë një bazë të fortë për orientimin e mëtejmë
strategjik dhe për forcimin e rolit të FSHMN-së si një qendër ekselence në mësimdhënie, kërkim
shkencor dhe zhvillim institucional.