Në Departamentin e Matematikës, nga data 22 korrik deri më 26 korrik po mbahet punëtoria Njehsimi Shkencor dhe Matematika (Scientific Computing and Mathematics - SCAM).

24 Korrik 2024
SHARE

Në Departamentin e Matematikës, nga data 22 korrik deri më 26 korrik po mbahet punëtoria Njehsimi Shkencor dhe Matematika (Scientific Computing and Mathematics - SCAM).  
Kjo është punëtoria e parë e këtij lloji në vendin tonë, ku fokus nuk është vetëm shkenca kompjuterike ose vetëm matematika, por ndërlidhja e këtyre dy fushave. Nga kjo punëtori po përfitojnë studentë të nivelit Bachelor dhe Master, nga universitete të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria dhe nga Italia. 
Instruktorët janë me përvojë nga bota akademike dhe nga industria. Njëri prej tyre, dr. Uran Meha, i ka kryer studimet themelore në Departamentin e Matematikës e më pas ka doktoruar në Francë.  Instruktorët e tjerë janë dr. Benjamin Dupont nga Franca dhe z. Lukasz Segiet nga Polonia. 

Programi është relativisht origjinal, për lidhjen ndërmjet matematikës dhe shkencës kompjuterike, të ilustruar përmes nocioneve dhe zbatimeve të zgjedhura në mënyrë të kujdesshme. Synimi është që të ndërtohen ura ndërmjet këtyre dy fushave të cilat lidhen ngushtë. Studentët e matematikës përfitojnë duke e parë një qasje matematike të shkencës kompjuterike si dhe anasjelltas, studentët e shkencës kompjuterike përfitojnë duke përdorur programim për të kuptuar dhe zgjidhur probleme matematike.
 

Përveç instruktorëve të përmendur, pjesë e këshillit organizativ janë profesorët Kajtaz Bllaca, Qëndrim Gashi dhe Arbër Selimi. Punëtoria zhvillohet me përkrahjen e Departamentit, FSHMN-së dhe Universitetit të Prishtinës.