Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) ka kënaqësinë të ftojë stafin akademik në ligjëratën e organizuar me Prof. Aleksandar Radu, Profesor i Asociuar në Shkollën e Kimisë në Universitetin e Lincoln-it.
Titulli i ligjeratës : Ndryshime të vogla, ndikim i madh: Transformimi i të nxënit të studentëve përmes mësimdhënies ndërvepruese dhe angazhuese në shkencë
Në këtë ligjëratë do të trajtohet një pyetje thelbësore për arsimin bashkëkohor: Si mund të ndikojnë ndryshimet e vogla në mënyrën e mësimdhënies në përmirësimin e përvojës dhe rezultateve të të nxënit të studentëve?
Duke u mbështetur në përvojën e tij në mësimdhënien e shkencave, Prof. Radu do të ndajë praktika dhe qasje që nxisin pjesëmarrjen aktive të studentëve, të nxënit përmes përvojës dhe zhvillimin e të kuptuarit më të thellë. Megjithëse shembujt vijnë nga fusha e shkencave natyrore, parimet dhe strategjitë e prezantuara janë të zbatueshme në të gjitha disiplinat dhe ofrojnë ide të vlefshme për çdo pedagog që synon ta bëjë procesin e të nxënit më kuptimplotë dhe më efektiv.
Data: E martë, 14 korrik
Koha: 13:00–14:30
Vendi: Fakulteti i Filologjisë, Departamenti i Anglishtës, Salla 86
Rreth ligjëruesit
Prof. Aleksandar Radu është Profesor i Asociuar në Kimi Analitike në Shkollën e Kimisë të Universitetit të Lincoln-it, të cilit iu bashkangjit në vitin 2022. Studimet në Kimi Fizike i përfundoi në Universitetin e Beogradit, ndërsa doktoratën (PhD) e mori në Universitetin Auburn në SHBA në vitin 2005, me kërkime në fushën e sensorëve me bazë jonofore.
Pas përfundimit të doktoratës, ai punoi si studiues postdoktoral në Universitetin e Dublinit (Dublin City University), ku u fokusua në aplikimet praktike të sensorëve kimikë dhe zhvillimin e materialeve me veti të avancuara.
Karrierën akademike e filloi në vitin 2010 në Universitetin e Portsmouth-it, ndërsa më pas vazhdoi në Universitetin Keele, ku në vitin 2020 u promovua në pozitën e Ligjëruesit të Lartë në Kimi. Përveç angazhimit të tij në kërkim shkencor, ai ka një përvojë të gjerë në zhvillimin e praktikave efektive të mësimdhënies dhe në krijimin e përvojave më të mira të të nxënit për studentët.
Ftojmë të gjithë anëtarët e stafit akademik dhe studentët që t’i bashkohen kësaj ligjërate dhe të diskutojnë së bashku mbi mënyrat se si përmirësimet e vogla në praktikën e mësimdhënies mund të sjellin ndryshime të rëndësishme në të nxënit e studentëve.
Ju mirëpresim!