Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, Departamenti i Gjeografisë i FSHMN-së
pranohet si anëtar i Association of European Schools of Planning (AESOP)
Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, përkatësisht Departamenti i Gjeografisë, është pranuar
zyrtarisht si Associate Member në Association of European Schools of Planning (AESOP), një nga
rrjetet më prestigjioze evropiane në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban.
Vendimi për pranimin e Departamentit të Gjeografisë është miratuar nga Këshilli i Përfaqësuesve
(Council of Representatives) të AESOP-it dhe është konfirmuar zyrtarisht nga Sekretariati i Përgjithshëm
i kësaj organizate.
Anëtarësimi në AESOP përfaqëson një arritje të rëndësishme në procesin e ndërkombëtarizimit të
Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe Universitetit të Prishtinës, duke krijuar mundësi të reja
për bashkëpunim akademik dhe shkencor me universitete dhe institucione partnere nga Evropa dhe më
gjerë.
Përmes këtij anëtarësimi institucional, stafi akademik, hulumtuesit dhe studentët e Departamentit të
Gjeografisë do të kenë mundësi të marrin pjesë në konferenca, shkolla verore, grupe tematike, rrjete
akademike dhe iniciativa të ndryshme të AESOP-it. Gjithashtu, ky anëtarësim do të lehtësojë zhvillimin e
projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e përvojave, mobilitetin akademik dhe krijimin e
partneriteteve të reja ndërkombëtare.
AESOP është organizata kryesore evropiane që bashkon universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë që
ofrojnë programe studimi dhe zhvillojnë veprimtari kërkimore në fushën e planifikimit hapësinor,
planifikimit urban dhe zhvillimit territorial. Rrjeti promovon përsosmërinë akademike, kërkimin shkencor
dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e planifikimit.
Ky anëtarësim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe
Departamentit të Gjeografisë për rritjen e cilësisë akademike, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar
dhe forcimin e pozitës së Universitetit të Prishtinës në rrjetet evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit
shkencor.
FSHMN shpreh mirënjohje për angazhimin Prodekani për cilësi, shkencë dhe bashkëpunim ndërkombëtar
Prof. Asoc. Ferim Gashi në koordinimin dhe finalizimin me sukses të procesit të anëtarësimit në AESOP,
duke mundësuar anëtarësimin e Departamentit të Gjeografisë në këtë rrjet prestigjioz evropian. Ky sukses
përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e
Fakultetit dhe Universitetit të Prishtinës në nivel evropian.
Për më shumë informacion dhe për të parë profilin zyrtar të Departamentit të Gjeografisë në listën e
anëtarëve të AESOP-it, vizitoni:
https://aesop-
planning.eu/index.php?option=com_civicrm&task=civicrm/profile/view&Itemid=325&reset=1&id=4223
&gid=16
Urime për FSHMN, Departamentit të Gjeografisë për këtë arritje të rëndësishme akademike dhe
institucionale, e cila kontribuon në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjen e prestigjit të
Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore dhe Universitetit të Prishtinës.
Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, Departamenti i Gjeografisë i FSHMN-së pranohet si anëtar i Association of European Schools of Planning (AESOP)