Fakulteti i Shkencave Matematike - Natyrore e përgëzon Dr. sc. Donard Geci, Asistent në Departamentin e Biologjisë, për përzgjedhjen si fitues i Shpërblimit mbështetës të ASHAK-ut për vitin 2025.
Ky çmim konsiderohet ndër vlerësimet më të larta dhe më prestigjioze që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ndan për hulumtuesit e rinj, duke vlerësuar punën shkencore, ndikimin akademik dhe rezultatet e dëshmuara në kërkim.
Veprimtaria shkencore e Dr. Gecit është e fokusuar në studimin e biodiversitetit, sistematikës, ekologjisë dhe filogjenisë molekulare të merimangoreve (arachnidëve), me kontribut të veçantë në njohjen e faunës së Kosovës dhe rajonit.
Deri më sot ai numëron 46 punime shkencore të publikuara në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science dhe Scopus, duke përfaqësuar në mënyrë dinjitoze Fakultetin e Shkencave Matematike - Natyrore dhe Universitetin e Prishtinës në arenën ndërkombëtare.
Ky sukses dëshmon rëndësinë e përkushtimit në kërkimin shkencor dhe fuqinë e brezit të ri të studiuesve në avancimin e shkencës.