FSHMN forcon bashkëpunimin ndërkombëtar me Universitetin Justus Liebig Giessen
Delegacioni i Fakultetit të Shkencave Matematike dhe Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës, i përbërë nga dekani Kajtaz Bllaca dhe prodekanët Arben Haziri dhe Lulzim Millaku, realizoi një vizitë zyrtare dhe të suksesshme në Universitetin Justus Liebig Giessen (JLU), Gjermani, në periudhën 10 -14 dhjetor 2025, me ftesë të Prof. Dr. Richard Göttlich.
Gjatë vizitës u zhvilluan takime konstruktive me përfaqësues të JLU-së, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim afatgjatë ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik. Një rëndësi e veçantë iu kushtua vizitës në laboratorët modernë të Kimisë dhe Biologjisë, të cilët ofruan shembuj konkretë të praktikave të avancuara në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.
Gjatë diskutimeve, palët u dakorduan për vazhdimin dhe zgjerimin e programeve Erasmus+ në fushat e Kimisë dhe Biologjisë, me synim përfshirjen edhe të fushave të Departamentit të Matematikës. Po ashtu, u shqyrtuan mundësitë për zhvillimin e një programi të përbashkët master (double degree) në fushën e Sustainable Chemistry, si dhe inicimi i projekteve të përbashkëta kërkimore dhe aplikimi në programe ndërkombëtare si Erasmus+.