Në FSHMN u mbajt punëtoria Barkodimi i Biodiversitetit të Kosovës në funksion të monitorimit dhe konservimit, financuar nga Ambasada e SHBA, administruar nga KUSA

18 Nëntor 2025
SHARE

Në FSHMN u mbajt punëtoria Barkodimi i Biodiversitetit të Kosovës në funksion të
monitorimit dhe konservimit, financuar nga Ambasada e SHBA, administruar nga KUSA

Më 17 nëntor 2025 u mbajt punëtoria “Barkodimi i Biodiversitetit të Kosovës në funksion të
monitorimit dhe konservimit”, aktivitet i realizuar në kuadër të projektit “Themelimi i Njësisë
për Barkodimin e ADN-së në funksion të Monitorimit dhe Konservimit të Biodiversitetit në
Kosovë”, i financuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe i administruar nga Kosovo
United States Alumni (KUSA).
Ekipi i Projektit (Prof. Halil Ibrahimi, Prof. Linda Grapci Kotori, Prof. Astrit Bilalli dhe Ass.
Donard Geci) bashkë me Prof. Dr. Stephan Koblmüller nga Universiteti i Grazit, institucion
partner u mirëpritën nga Dekani i FSHMN-së, prof. Kajtaz Bllaca, i cili vlerësoi rëndësinë e
inicimit të laboratorit të ri dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Në hapje të punëtorisë, Dr.
Afrim Berisha nga MMPHI theksoi rëndësinë e integrimit të metodave të barkodimit të ADN-së
në monitorimin dhe dokumentimin e biodiversitetit në Kosovë, duke nënvizuar se qasjet
molekulare janë tashmë thelbësore për identifikim të saktë të specieve dhe menaxhim
mjedisor.
Prodekani i FSHMN-së, prof. Ferim Gashi, vuri në pah rëndësinë që ky projekt ka për
fakultetin, duke falënderuar ekipin për punën e madhe dhe rezultatet e arritura në ngritjen e
kapaciteteve akademike dhe kërkimore.
Prof. Dr. Halil Ibrahimi, bartës i grantit të projektit, prezantoi vizionin dhe objektivat kryesore
të iniciativës, duke folur mbi rëndësinë e barkodimit të ADN-së në studimet e biodiversitetit.
Ai theksoi se metodat molekulare po bëhen thelbësore për identifikimin e saktë të specieve,
zbulimin e diversitetit të fshehur dhe mbështetjen e programeve të monitorimit mjedisor në
Kosovë.
Gjatë punëtorisë u prezantuan objektivat dhe rezultatet e projektit, si dhe rëndësia shkencore e
barkodimit të ADN-së. Ligjërata kryesore u mbajt nga Dr. Stephan Koblmüller nga Universiteti i
Grazit, ndërsa pjesa praktike u zhvillua në Laboratorin e Zoologjisë të Departamentit të
Biologjisë, ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me procedurat laboratorike dhe aspektet
praktike të metodologjisë së barkodimit.
Ky aktivitet kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e praktikave të monitorimit mjedisor dhe
krijimin e kapaciteteve të reja shkencore në Kosovë.