Profesori i Departamentit të Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, Fitim Humolli, është bërë anëtar i brendshëm i Shoqatës Mesdhetare
për Sociologjinë e Turizmit (ASTMed).
Ky anëtarësim me të drejta të plota i profesorit Humolli, e ka vendosur edhe Universitetin e Prishtinës dhe shtetin e Kosovës në listën e pjesëmarrësve të barabartë të shoqatës që studion
turizmin në rajonin e Mesdheut dhe nxit debatin sociologjik rreth zhvillimit dhe ndikimit të turizmit në këtë zonë. Para se të bëhej anëtar i brendshëm i Shoqatës ASTMed, profesori Humolli mori pjesë aktive në
aktivitetet e kësaj shoqate që nga viti 2019.
Shoqata ishte krijuar në Konferencën e parë Mesdhetare të zhvilluar në Bolonjë të Italisë gjatë vitit 1987, kur u fol për një rol më aktiv të komuniteteve të vendeve mesdhetare në turizëm dhe
komunikim kulturor, ofrimin e shërbimeve dhe krijimin e profesioneve të reja.
Disa nga shtetet që përbëjnë Shoqatën ASTMed janë: Italia, Franca, Greqia, Spanja, Portugalia, Mali i Zi, Kosova, Sllovenia, etj. Shoqata angazhohet profesionalisht për të promovuar aspektet
pozitive të turizmit dhe për t’iu shmangur pasojave që ka prodhuar industria turistike. Shoqata Mesdhetare për Sociologjinë e Turizmit (ASTMed) ka organizuar dhjetë konferenca
ndërkombëtare duke botuar 15 libra nga këto konferenca dhe aktivitetet tjera.
Profesori Fitim Humolli bëhet anëtar i Shoqatës Mesdhetare për Sociologjinë e Turizmit (ASTMed)