Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Prishtinës edhe në edicionin e sivjetëm është pjesë e Prishtina International Summer University (PISU), duke organizuar tri kurse verore me pjesëmarrje të studentëve dhe profesorëve vendorë e ndërkombëtarë.

10 Korrik 2026
SHARE

Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Prishtinës edhe në edicionin e sivjetëm është pjesë e Prishtina International Summer University (PISU), duke organizuar tri kurse verore me pjesëmarrje të studentëve dhe profesorëve vendorë e ndërkombëtarë.

🔬 Në kuadër të Departamentit të Kimisë po zhvillohet kursi "Hyrje në Shkencat Forensike", i udhëhequr nga Prof. Aleksandar Radu nga Lincoln University, së bashku me Dr. Albana Veseli nga Departamenti i Kimisë, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, Universiteti i Prishtinës. Kursi ofron njohuri teorike dhe praktike mbi parimet dhe metodat bashkëkohore të shkencave forensike, me fokus në analizat laboratorike dhe zbatimin e tyre në hetimet shkencore.

📐 Në kuadër të Departamentit të Matematikës po zhvillohet kursi "Numerical Methods – Bridging Theory and Computation", i udhëhequr nga Prof. Assist. Aneta Hapka nga Universiteti Politeknik i Koszalinit, Poloni, së bashku me Prof. Asoc. Kajtaz Bllaca nga Departamenti i Matematikës, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, Universiteti i Prishtinës. Kursi fokusohet në zbatimin praktik të metodave numerike për zgjidhjen e problemeve inxhinierike, duke ndërlidhur konceptet teorike me implementimin kompjuterik dhe aplikimet në shkencë dhe inxhinieri.

🌍 Në kuadër të Departamentit të Gjeografisë po zhvillohet kursi "Mapping and Modelling Climate and Weather Using GIS and Remote Sensing Techniques", i udhëhequr nga Prof. Assist. Dr. Eng. Joanna Jaskuła nga Fakulteti i Inxhinierisë së Mjedisit dhe Inxhinierisë Mekanike, Poznań University of Life Sciences, Poloni, së bashku me Prof. Asoc. Valbon Bytyqi nga Departamenti i Gjeografisë, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, Universiteti i Prishtinës. Kursi fokusohet në përdorimin e teknikave të Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe teledetektimit (Remote Sensing) për hartëzimin dhe modelimin e klimës dhe motit, duke ndërthurur njohuritë teorike me aplikimet praktike në monitorimin dhe analizën e proceseve mjedisore.

Këto kurse ofrojnë një platformë të vlefshme për shkëmbim akademik dhe kulturor, duke bashkuar studentë dhe profesorë nga vende të ndryshme në një mjedis që nxit dijen, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe inovacionin.

Përmes pjesëmarrjes në Prishtina International Summer University (PISU), Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore ripohon angazhimin e tij për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, zhvillimin e partneriteteve akademike dhe krijimin e mundësive të reja për avancimin akademik e profesional të studentëve dhe stafit.

#PISU2026 #UniversitetiIPrishtinës #FSHMN #SummerUniversity #InternationalCooperation #HigherEducation