MESAZHI I MIRËSEARDHJES NGA DEKANI
Fakulteti i Shkencave Matematike- Natyrore është fakultet me traditë. Themelimi i tij daton nga viti 1971 (me vendimin e Kuvendit të Kosovës, Fleta Zyrtare e KSA të Kosovës nr. 37/71). Është për t’u përmendur fakti se studimet e shkencave të natyrës dhe matematikës (biologji, fizikë, kimi dhe matematikë) kanë filluar njëmbëdhjetë vjet më herët në kuadër të Fakultetit Filozofik, të themeluar në vitin 1960.
Që nga ajo periudhë kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë dhe bashkë me ta breza të tërë mësimdhënësish, punonjësish, shkencëtarësh dhe studentësh, prandaj suksesi i fakultetit u kushtohet pikërisht atyre. Qindra studentë të rinj që e njohin këtë traditë dhe profesorët që punojnë me ta, ecin në gjurmët e tyre, duke u përpjekur vazhdimisht për të qenë më të mirët, kudo dhe në çdo kohë.
Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, si njësi akademike e Universitetit të Prishtinës, e ka dalluar veten si fakultet i shquar me stafin akademik, i cili është i përkushtuar për të siguruar arsim cilësor, si dhe udhëheqje shkencore të nevojshme për të arritur nivelin më të lartë të mundshëm të përsosmërisë dhe cilësisë në studime dhe kërkime shkencore. Fakulteti ynë është i angazhuar për zbatimin e misionit esencial të dijes në Universitetin e Prishtinës, i fokusuar në resurset e veta intelektuale dhe në të gjitha burimet tjera relevante për përmirësimin e cilësisë së jetës për studentët, mjedisit, komunitetit, shtetit dhe kombit.
Fakulteti ynë, si çdo fakultet tjetër, i ofron komunitetit një shërbim të vyer. Rritja e cilësisë së shërbimit në mënyrë të veçantë dhe përsosja e nivelit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor arrihen nëpërmjet komunikimeve të vazhdueshme dhe të frytshme me studentët. Prandaj, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore është promotor i elitës studentore, të cilën e ndihmon me forma nga më të ndryshmet, duke nxitur dhe përkrahur edhe funksionimin e përfaqësive studentore, që studentët si një nga grupet kryesore të interesit në fakultet, të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes.
Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore përbëhet nga pesë departamente: Biologji, Fizikë, Gjeografi, Kimi dhe Matematikë. Mbi 3500 studentë janë të regjistruar në programet bachelor dhe master, ndërsa mbi 100 punonjës të fakultetit me kohë të plotë dhe po aq me kohë jo të plotë janë të përfshirë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe në shërbim të studentëve.
Stafi akademik i kualifikuar dhe më përvojë, i cili ka merita për arritjet e shkëlqyera në fushat thelbësore të shkencave, si biologjia, fizika, gjeografia, kimia dhe matematika, herë pas here pasurohet me gjenerata të reja, të cilat i japin frymëmarrje fakultetit. Ky staf, në misionin e tij të rëndësishëm, ka pasur dhe ka gjithmonë në krah edhe stafin mbështetës joakademik të fakultetit.
Fakulteti, përveç studimeve tradicionale për biologji, fizikë, gjeografi, kimi dhe matematikë, po kështu, ofron edhe programe kërkimore ndërdisciplinore në shkencat e mjedisit, matematikës financiare në banka dhe sigurime dhe në shkencat kompjuterike. Fakulteti është i përgatitur dhe i motivuar për sfida të ndryshme në shekullit e ri, si ato të integrimit dhe globalizimit të dijes dhe shkencës. Stafi drejtues është i përqendruar për ta kthyer fakultetin në një arenë të dijes në nivel rajonal, pse jo dhe më gjerë, pasi pozicioni i tij si lider në Universitetetin e Prishtinës, tashmë është një realitet i pranuar nga shoqëria dhe institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit.
Ekipet e ndryshme të studiuesve nga fakulteti ynë bashkërisht me studentët e niveleve të ndryshme, realizojnë projekte të lloj-llojshme për zgjidhjen e problemeve në inxhinierinë mjedisore, inxhinierinë kompjuterike, biopërtërirje, pastaj në shkencat atmosferike, strukturën dhe dinamikën molekulare, shëndetin publik dhe probleme të tjera në shkencat bazike dhe në ato të aplikueshme.
Gjatë punës shumëvjeçare, nga radha e stafit të vet fakulteti ka prodhuar kërkime të shquara dhe nga mesi i vet ka nxjerrë shumë studiues, të cilët rezultatet e tyre shkencore i kanë publikuar në revista prestigjioze jashtë vendit, të arriturat e të cilëve citohen nga komuniteti shkencor në nivel global.
Shumë nga studentët tanë kanë arritur të bëhen studiues në fusha të ndryshme shkencore, profesionistë mjekësorë, shkencëtarë në industri dhe sipërmarrës të dalluar, jo vetëm në shkallë vendi, por edhe më gjerë.
Me të arriturat shkencore dhe me përparimet e vazhdueshme në këtë 50-vjeçar, ne kemi ridefinuar pozitën e fakultetit tonë në Universitetin e Prishtinës, në shkallë vendi dhe më gjerë. Shkolla e doktoratës, e mbështetur në projektet për kërkime shkencore, angazhimi ynë për rekrutimin e studentëve të motivuar, rritjen e vazhdueshme në programe të tjera të reja dhe hapjen e dyerve tona për të gjithë ata që kanë mbaruar studimet superiore jashtë vendit do të ndihmojë për të përcaktuar të ardhmen tonë.
Që fakulteti i ynë të mbetet një ndër më të mirët, ne do të vazhdojmë të punojmë me dedikimin që na karakterizon, bashkë me qindra njerëz që janë pjesë e traditës së tij dhe t’u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre që duan të mësojnë më shumë për të. Një fakultet është vërtet bashkëkohor kur mbështetet mbi një infrastrukturë bashkëkohore. Ne përpiqemi t’i zgjerojmë dhe t’i modernizojmë mjediset, duke nisur që nga laboratorët, bibliotekat, teknologjia informative etj., dhe duke mbërritur deri te ndërtimi i një objekti të ri të fakultetit, i cili është ndër prioritetet kryesore të punës sonë.
Unë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi jemi të frymëzuar që veprimtaria edukative, kërkimore dhe shkencore të jetë e suksesshme në të gjitha fushat dhe drejtimet, duke ditur faktin se fakulteti ynë me dekada ka demonstruar të njëjtën gjë: për të qenë më i miri ndër të mirët.
Ju ftojmë të shfletoni nëpër dokumentet relevante dhe në faqet e internetit për të mësuar më shumë për veprimtarinë tonë, ose akoma më mirë të vini e të takoheni me ne, të vizitoni hapësirat dhe objektet tona për mësim dhe kërkime shkencore dhe të shihni rrugëtimin tonë të sigurt në fushën e shkencave matematike dhe natyrore.
Nëse ju jeni një student i ardhshëm në Universitetin e Prishtinës, një partner i korporatave që kërkon kandidatë të kualifikuar, praktikantë, studentë të diplomuar dhe konkurrues, ose informacion për hulumtimet shkencore, unë fuqishëm besoj se jeni në vendin e duhur.
Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore është njësi akademike burimore, e cila mbështet misionin e trefishtë të Universitetit të Prishtinës, duke siguruar arsim të cilësisë së lartë, avancimin e njohurive shkencore përmes hulumtimeve shkencore në fushat specifike dhe sigurimin e ekspertizës arsimore për komunitetin lokal dhe kombëtar. Ky ka qenë dhe vazhdon të jetë vizioni ynë, për të zhvilluar dhe zbatuar aktivitetet akademike, të cilat japin njohuri në fushën e shkencave matematike dhe natyrore, si prodhues kryesor i studentëve dhe hulumtuesve të diplomuar, të cilët janë konkurrues në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Të nderuar studentë dhe kolegë, mësimdhënia në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, pa dyshim, është më shumë se një studim. Çdo brez i ri i studentëve është një ngjarje e veçantë, një sfidë e re, një dëshirë e re për të dëshmuar faktin se, në të vërtetë, ne jemi zgjedhja e duhur për orientimin tuaj të ardhshëm. Për ju, ky është një hap përpara në procesin arsimor, në rrugën që do të jetë mjaft e ndryshme nga fazat e mëparshme arsimore.
Qëllimi kryesor i të gjithë neve është mbështetja në udhëtimin tuaj në fushën studimit se fakulteti nuk është vetëm një vend për të marrë diplomën, por gjithsesi është edhe një hapësirë kulturore që me njohuritë e fituara do të mbështesë secilën diplomë të fituar. Pra, mos ta absolutizojmë shkallën e kalueshmërisë në provime, të përpiqemi të arrijmë nivelin e duhur të njohurive në fushat përkatëse, të cilat do të jenë të krahasueshme me universitetet më të zhvilluara evropiane. Ky duhet të jetë objektivi primar edhe synimi juaj kryesor.
Në fund, të gjithëve ju falënderoj për besimin tuaj. Ju ftoj që në të ardhmen puna juaj dhe jona, si dhe rezultatet e fakultetit të jenë krenari e përbashkët, të jenë masë e seriozitetit tonë akademik dhe imagjinatës tuaj rinore, dhe se gjithçka në periudhën e studimeve dhe në vazhdimësi të jetë në rrugën e realizimit të synimeve më të ndritura.
Në emër të stafit të fakultetit dhe në emër të studentëve, unë ju dëshiroj mirëseardhje dhe ju mirëpres në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Prishtinës.
Shkarko CV-ne e dekanit Bllaca këtu
- Ligjeratë të hapur në Amfiteatrin e Departamentit të Fizikës, profesorin Jason Harris, Purdue University, School of Health Sciences, Indiana
- PANAIRI I 7-TË I UNIVERSITETEVE FRANCEZE
- Në ambientet e FShMN-së, pritëm në një takim, profesorin Dr. Carl Christian Kjelgaard Mikkelsen, Departamenti i Shkencave Kompjuetrike, Universiteti i Umeas.
- Takim me ekspertë ndërkombëtar të akreditimit