Fakultetet e shkencave matematike dhe natyrore të UP-së dhe të Universitetit të Zagrebit nënshkruajnë memorandum të bashkëpunimit

20 Qershor 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po vazhdon të krijoj partneritete të reja. Në ambientet e rektoratit të UP-së, u nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore të UP-së dhe Fakultetit të Shkencave në Universitetin e Zagrebit.

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dekani i FSHMN-së, prof. dr. Idriz Vehapi dhe prof. Mirko Planiniq, dekan i Fakultetit të Shkencave në Universitetin e Zagrebit.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, rektori Sahiti theksoi se me anë të këtij memorandumi, po mundësohet thellimi i partneritetit të të dy universiteteve me traditë të gjatë të bashkëpunimit.

Marrëveshja parasheh shkëmbimin e ndërsjellë të stafit akademik, studentëve dhe stafit tjetër për ligjërata, vizita dhe shkëmbim përvojash, organizimin e përbashkët të konferencave, kongreseve, seminareve, kurseve, shkollave verore, punëtorive dhe formave të tjera të bashkëpunimit, shkëmbimin e literaturës shkencore dhe botimeve të tjera universitare, si dhe të tjera fusha të rëndësishme për studentët dhe stafin e të dyja universiteteve.

https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,37,1681