Thirrja për aplikim të studentëve në programet certifikuese të Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri

14 Shtator 2021
SHARE

Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri e Universitetit të Prishtinës (QEQ) ju fton të bashkoheni në programet më aktuale dhe më inovative ndërdisiplinore në Universitetin e Prishtinës – programet certifikuese të QEQ:

  1. Energjia e Ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria
  2. Menaxhimi i Energjisë dhe i Mjedisit

Studio disa nga sfidat më aktuale në botë – ndryshimet klimatike, qëndrueshmërinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e energjisë në komunitet dhe më shumë – me profesorë kryesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe nga jashtë. Programet do të ofrojnë kurse të fokusuara nga shumë fakultete. Të diplomuarit e programeve do të marrin certifikatë universitare krahas diplomës së tyre bachelor apo master.

Të drejtë aplikimi kanë studentët nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës të cilët kanë të regjistruar së paku semestrin e dytë të studimeve bachelor si dhe të gjithë studentët e nivelit master. Programi fillon në semestrin dimëror të vitit akademik 2021/22.

Për të marrë certifikatën e veçantë universitare Energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëria, dhe Menaxhimi i Energjisë dhe i mjedisitstudentët, brenda periudhës dy vjeçare, duhet të përfundojnë me sukses katër kurse nga lista e kurseve ndërdisiplinore të ofruara në QEQ (varësisht në cilin program janë regjistruar), përkatësisht të fitojnë 20 kredi ECTS. Çdo kurs do të ofrojë pesë kredi ECTS të cilat do të llogariten si shtesë e kredive të fituara në kuadër të programeve përkatëse të diplomimit të studentit.

Disa nga titujt e kurseve që do të ofrohen në kuadër të programit Energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëriajanë: Bazat e Energjisë së Ripërtëritshme, Proceset e Gjelbëra për Qëndrueshmëri, Energjia dhe Ndryshimet Klimatike, Energjia Diellore dhe Fotovoltaikët, Bazat e Qëndrueshmërisë Mjedisoreetj., kurse disa nga kurset që ofrohen në kuadër të programit Menaxhimi i Energjisë në Komunitet janë: Parimet e Menaxhimit të Energjisë, Promovimi i Energjisë së Pastër dhe Përfshirja e Komunitetit, Gjurmët Ekologjike dhe Qëndrueshmëria, Ekonomia e Projekteve të Qëndrueshme Energjetike, Bazat e Qëndrueshmërisë Mjedisore, etj.

Tarifa e regjistrimit për programin certifikues është e njëjtë me tarifën semestrale për studimet e rregullta Bachelor (25 Euro).

Studentët e interesuar për programet certifikuese mund t’i marrin të gjitha informatat në web-faqen e QEQ:https://qeq.uni-pr.edu/

 

Aplikimet e kompletuara dorëzohen në zyrat e QEQ (Administrata Qëndrore) në periudhën 15 Shtator-29Shtator 2021.

 

Procedura e aplikimit realizohet përmes: https://studenti.uni-pr.edu/