Një sukses i radhës nga Prof. Dr. Fetah PODVORICA

01 Qershor 2021
SHARE

Një sukses i radhës nga Prof. Dr. Fetah PODVORICA

FShMN uron Prof. Dr.sc. Fetah PODVORICA për zgjedhjen e tij anëtar i

jashtëm në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Prof. Dr.sc. Fetah PODVORICA (Profesor në FShMN dhe anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës) zgjedhet anëtar i jashtëm nga
Akademia e Shkencave e Shqipërisë më 28 maj 2021. Biografia : Fetah Podvorica lindi më 1968 në
Dumosh të Podujevës, ku kreu shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Podujevë. Studimet i kreu në
Departamentin e Kimisë, të FSHMN-së, të Universitetit të Prishtinës më 1993. Studimet e pasuniversitare në
lëminë e Kimisë fizike i vazhdoi në Universitetin e Parisit 7, Denis-Diderot, në Francë në vitt 1996/97 dhe mori
diplomën e studimeve të thelluara. Studimet e doktoratës i vazhdoi në Universitetin e Parisit 7 prej vitit 1997 deri
në vitin 2000, duke e zbatuar elektrokiminë në mveshjen e metaleve me shtresa organike. Puna hulumtuese u
kurorëzua me patentim dhe temën e doktoratës e mbrojti në qershor të vitit 2000 në Universitetin e Parisit 7. Në
dhjetor të vitit 2010 në Paris, në ESPCI (Ecole Superieure de Physique et de Chimie de Paris) mbrojti Habilitimin për
udhëheqje të hulumtimit shkencor dhe e morri kualifikimin për profesor të rregullt në Francë. Më 1993 u zgjodh
asistent në Departamentin e Kimisë. Gjatë viteve 1998-2000 është angazhuar në mësimdhënie me studentët e
Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Parisit 7. Në shtator të vitit 2000 u kthye në Universitetin e Prishtinës me
ç’rast u angazhua ligjërues i Kimisë fizike dhe i Korrozionit. Në vitin 2002 u zgjodh profesor asistent, në vitin 2006
profesor i asocuar kurse më 2009 profesor i rregullt. Në vitet 2003-2013 ka qenë profesor i ftuar, në Ecole Superieure
de Physique et de Chimie (ESPCI) në Paris ku ka vazhduar punën hulumtuese dhe ka udhëhequr kandidatë në
hulumtim në doktoratë e postdoktoratë. Prej vitit 2014 është profesor i ftuar në Universitetin Paris 7 dhe në
Universitetin e Orleansit në Francë. Ka qenë profesor i ftuar në Universitetin e Leuvenit në Belgjikë, më 2020, atë të
Leipzigut në Gjermani, më 2011, në atë të Paris Est, në Francë, më 2009 si dhe në Universitetin e Aarhusit, në
Danimarkë, më 2008. Prof. Podvorica ka botuar deri më tani 45 punime shkencore në revistat me faktorë ndikimi, të
indeksuara në platformat Web of Science dhe Scopus si dhe mëse 50 punime tjera në formë të përmbledhjeve në
kuadër të tubimeve të ndryshme ndërkombëtare. Punimet e tij janë cituar deri më tani 4781 herë në platformën
Google Scholar, indeksi Hirsch 22, ndërsa 3372 herë në platformën Scopus. Shumica e punimeve shkencore nga
lëmi i Elektrokimisë i janë botuar në revistat e American Chemical Society, Royal Chemical Society dhe Elsevierit. Ka
patentuar 2 patente lidhur me mveshjen e sipërfaqes së metaleve me shtresa organike, njërin në Evropë dhe tjetrin
në ShBA. Licenca e patenteve sot shfrytëzohet për veshje të stenteve me filma organikë të komercializuara nga
kompania Sinomed në Kinë. Ka bashkë-organizuar një Simpozium shkencor në kongres ndërkombëtar të
International Society of Electrochemistry i mbajtur në Durban (2019, Afrikë e Jugut) si dhe ka mbajtur prezentime me
gojë të tilla si i ftuar ose si i përzgjedhur në Pekin (viti 2009, Kinë), Nicë (2010, Francë), Saint Malo (2015, Francë),
Hagë (2016, Holandë), Bologne (2018, Itali). Ka organizuar tryezën shkencore me titull “Materialet Kompozite” më 6
prill 2018 në kuadër të Seksionit të ShN të ASHAK-ut e cila ka patur karakter ndërkombëtar. Ka marr pjesë në disa
projekte shkencore në nivel vendi dhe në Francë.
Është anëtar i rregullt i American Chemical Society nga viti 2005 dhe International Society of Electrochemistry nga viti
2008. Prof. Podvorica është sekretar i redaksisë së botimit të revistës Research, botuar nga Seksioni i Shkencave të
Natyrës së ASHAK-ut. Është editor i asocuar i revistës Chemistry Africa, botuesi Springer dhe anëtar i këshillit

redaktues të revistës Electrochem, MDPI journals. Është recensent i disa revistave të American Chemical Society
nga viti 2004 si dhe atyre të Royal Society of Chemsitry dhe të Elsevier-it prej vitit 2006. Ka qenë recensent i
projekteve shkencore të dorëzuara në kuadër të CNRS- Francë (Qendra kombëtare për kërkim Shkencor), Israel
Research Council, si dhe disa Universitete të Belgjikës.
Ka botuar 2 kapituj librash, në lëminë e kripërave të aril diazoniumit, nga shtëpitë botuese Wiley dhe Taylor &
Francis. Ka udhëhequr deri më tani 6 PhD si dhe 2 post doktorantë dhe ka marr pjesë si kryetar ose anëtar i jurisë në
10 mbrojtje të temave të PhD në Francë dhe Itali.
Në vitet 2002-2005 ka qenë sekretar i Departamentit të Kimisë; 2007-2010 ka udhëhequr studimet e doktoratës në
FSHMN të, Universitetit të Prishtinës, 2014-2015 ka qenë prorektor në Universitet të Prishtinës kurse në vitet 2007-
2011 anëtar i Këshillit Kombëtar për shkencë.
Më 2016 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ndërsa prej janarit të vitit
2018 është zgjedhur sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës të ASHAK-ut. Më 2017 u zgjodh anëtar
korrespondent i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë të Dijon-it, Francë. Ligjëratën inauguruese në këtë
institucion e ka mbajtur më 10 prill 2019.
Është shpallur shkencëtar i vitit 2013 nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë të Kosovës ndërsa në
vitin 2019 është shpërblyer prej rektorit të UP-së me mirënjohje për arritje të lartë shkencore dhe kontribut të çmuar
në ngritjen e Universitetit të Prishtinës në ranglista ndërkombëtare të vlerësimit të universiteteve.