Historiku i Fakultetit

Studimet e shkencave të natyrës dhe matematikës (matematikë, fizikë, kimi, biologji) në Prishtinë kanë filluar në vitin akademik 1960/61, në kuadër të Fakultetit Filozofik, i themeluar atë kohë. Në vitin shkollor 1962/63 u hap edhe Katedra e Gjeografisë. Në vitin e parë të studimeve, në kuadër të Fakultetit Filozofik, në katedrat e shkencave matematiko-natyrore u regjistrua një numër relativisht i vogël studentësh, gjithsej 74, ndërsa numri i arsimtarëve dhe i bashkëpunëtorëve ishte 15.
 
Në vitin shkollor 1971/72, pesë katedrat e shkencave matematike-natyrore u ndan nga Fakulteti Filozofik dhe kështu u formua Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, me drejtimet Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji dhe Gjeografi.
 
Në fillim të punës së FSHMN-së, kuadri mësimdhënës në fakultet ishte i vogël dhe plotësohej kryesisht nga qendra të ndryshme universitare. Në këtë drejtim, me respekt të posaçëm duhet të theksohet ndihma e madhe e pedagogëve të Universitetit të Tiranës. Me kalimin e kohës, me një ritëm të shpejtuar u bë kualifikimi dhe përsosja profesionale e kuadrove të reja të FSHMN-së, kryesisht në qendra të njohura universitare.
 
Në vitin shkollor 1995/96 u bë transformimi i katedrave në Drejtimet: Mësimore (për mësimdhënësit) dhe Shkencore-Inxhinierike. Përveç studimeve themelore, në katedrat: Matematikë, Gjeografi, Kimi dhe Biologji u organizuan edhe studimet pasdiplomike për arritjen e shkallës akademike të magjistrit të shkencave. U bënë ndryshime të rëndësishme në planet dhe programet e mësimit dhe në regjimin e studimeve. Disa lëndë ekzistuese në fakultete e në degë të ndryshme u zëvendësuan me lëndë të reja.
 
Me qëllim të avancimit të përgjithshëm të studimeve, ngritjes së cilësisë dhe efikasitetit të tyre, personeli akademik i FSHMN-së ndërmori aksion për ndryshimin e planprogrameve mësimore të studimeve. Duke pasur për objektiv arritjen e standardeve evropiane të studimeve dhe synimet për një bashkëpunim më të mirëfilltë me universitetet e Evropës, u përkrah modeli i studimeve sipas Marrëveshjes së Bolonjës (3+2+3), i propozuar dhe i miratuar nga Universiteti i Prishtinës. Në këtë mënyrë, prej 1 tetorit të vitit akademik 2001/2002 filluan studimet themelore sipas planprogrameve të reja.
 
Pas rishikimit dhe vlerësimit të këtyre planprogrameve, në vitin akademik 2005/2006 filloi zbatimi i planeve të miratuara nga Senati i Universitetit të Prishtinës, ku disa departamente kanë riformuluan sistemin e studimit në 4+1+3, gjithnjë sipas Marrëveshjes së Bolonjës. Studimet master për herë të parë me sistemin e Bolonjës në FSHMN e filluan punën në vitin shkollor 2004/2005, ndërsa nga viti akademik 2008/2009 në Departamentin e Matematikës dhe në Departamentin e  Kimisë filluan studimet e doktoratës sipas sistemit të Bolonjës.
 
Fakulteti ka më shumë se 40 laboratorë dhe kabinete dhe atë: 23 laboratorë në Departamentin e  Kimisë, 11 laboratorë në Departamentin e Biologjisë, 6 laboratorë në Departamentin e Fizikës, Laboratori i Informatikës dhe Kabineti i Hartografisë. Secili drejtim në departamentet e FSHMN-së i ka planet dhe programet e veta mësimore, të veçanta, që i përgjigjen fushës së studimit.
Nga viti 2009, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore organizoi studimet e doktoratës në Departamentin e Kimisë dhe në Departamentin e Matematikës.